Si ta lyesh murin pa njolla
Një mur i lyer mirë varet më shumë nga përgatitja sesa nga boja. Me rul, furçë dhe shirit letre, një dhomë mesatare lyhet brenda ditës, pa njolla dhe pa vija.
- Vështirësia: E lehtë
- Koha: 5 orë
- Me video
Pse ia vlen përgatitja
Boja e mirë mbi mur të papërgatitur prapë del me njolla. Shumica e punës është para se ta hapësh kanoçen: murin e pastër, të thatë dhe pa vrima e lyen mirë me dy shtresa, jo keq me katër.
Hapat
- Zbraze dhomën ose mblidhi mobiljet në mes dhe mbuloji me najlon. Shtro najlon ose karton në dysheme.
- Ul siguresën, hiq kapakët e prizave dhe të çelësave dhe ngjit shirit letre përgjatë pervazeve, dritareve dhe tavanit.
- Mbushi vrimat dhe të çarat me stuko, lëri të thahen dhe lëmoji me letër smeril të imët.
- Fshije murin nga pluhuri me leckë paksa të lagur. Njollat e yndyrës lahen me ujë dhe detergjent.
- Përzieje bojën mirë dhe me furçë lyej së pari qoshet, skajet pranë tavanit dhe rreth prizave, një brez rreth 5 cm.
- Zhyte rulin në tavë, shtrydhe dhe lyej në formë W-je, pastaj mbushe pjesën me lëvizje nga lart poshtë, pa e lënë bojën të thahet në skaje.
- Lëre shtresën e parë të thahet sa shkruan në kanoçe (zakonisht 2–4 orë), pastaj jepi shtresën e dytë njësoj.
- Hiqe shiritin sa boja është ende paksa e njomë, duke e tërhequr ngadalë me kënd, dhe vendosi kapakët e prizave.
Kur ta thërrasësh molerin
- Kur muri ka lagështi, myk ose suva që bie: duhet trajtuar para se të lyhet.
- Për tavane të larta, shkallë ose fasada.
- Kur muri ka të çara të mëdha ose duhet gletuar krejt.
- Kur do ta lyesh gjithë banesën në afat të shkurtër.
Gjej një profesionist për moler
Mjeshtër me vlerësime reale nga klientët e platformës. Shiko profilin, krahaso, ose posto kërkesën dhe lëri ata të të gjejnë.

